Skip to content

Avenirs – Platforma që ndihmon të rinjtë të ndërtojnë të ardhmen e tyre me qartësi dhe siguri

Nga një reflektim personal, në një platformë për mijëra të rinj

Ideja për Avenirs nuk lindi në një zyrë startup-i apo në një workshop inovacioni, por në shtëpi, nga roli më njerëzor që ekziston: ai i prindit. 

Një nga themeluesit e platformës, nisi të mendonte për të ardhmen e vajzës së tij, e cila po i afrohej moshës kur duhen marrë vendime të rëndësishme për edukimin dhe karrierën. Mungesa e informacionit të strukturuar, qasjes praktike dhe këshillimit të besueshëm për këto vendime, ishte e dukshme. 

Por ky nuk ishte një problem vetëm familjar: ishte një boshllëk që prekte mijëra të rinj dhe familje në Shqipëri.

Kështu lindi Avenirs, një platformë me emër të frymëzuar nga frëngjishtja (les avenirs – e ardhme), që synon të bëhet pikë referimi për orientimin akademik dhe profesional të të rinjve në vendin tonë dhe më gjerë.

Nga një reflektim personal, në një platformë për mijëra të rinj

Avenirs është një platformë edtech që mbështet të rinjtë në zgjedhjet e tyre për arsim dhe karrierë përmes teknologjisë dhe inteligjencës artificiale. Në qendër të saj është një sistem rekomandimesh të personalizuara që bazohet në interesat, aftësitë dhe qëllimet individuale të përdoruesit.

Përdoruesit, pasi regjistrohen dhe plotësojnë një pyetësor të thjeshtë, marrin sugjerime konkrete për programe studimi, kurse, bursa, praktika profesionale dhe opsione të tjera që lidhen me rrugën e tyre të mundshme. Avenirs kombinon fuqinë e AI-së me këshillimin njerëzor, duke përfshirë në proces prindërit, shkollat dhe këshilltarët e karrierës për të ofruar një përvojë sa më të plotë dhe gjithëpërfshirëse.

Në tregun shqiptar dhe ballkanik, kjo është platforma e parë që sjell një integrim sistemik të informacionit, teknologjisë dhe mbështetjes për vendimmarrje që lidhet me të ardhmen profesionale të të rinjve.

Pas kësaj nisme qëndrojnë dy themelues me përvojë dhe angazhim të thellë në çështjet e zhvillimit dhe edukimit:

Besnik Ligaçi
Xhafer Rakipllari

Themelues i Avenirs, aktualisht drejton Departamentin e Përfshirjes Ekonomike në UNHCR Romania. Me mbi një dekadë eksperiencë në menaxhimin e projekteve për zhvillimin ekonomik dhe punësimin e të rinjve, ai ka bashkëpunuar me organizata si FAO, UNHCR dhe Helvetas Swiss Intercooperation, duke u fokusuar gjithmonë në ndërlidhjen mes politikave zhvillimore dhe ndikimit konkret tek komunitetet, në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme.

Bashkëthemelues i platformës, si dhe Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës Shqiptare për Zhvillimin e Karrierës (ACDA). Me një përvojë të gjerë në këshillim profesional në institucione arsimore amerikane dhe europiane, ai është certifikuar nga institucione si Universiteti i Harvardit, Gallup Inc., dhe Center for Credentialing and Education. Si ekspert kombëtar për këshillimin e karrierës për Shqipërinë pranë CEDEFOP dhe “Future Skills Expert” pranë European Training Foundation, ai është i përkushtuar të ndihmojë të rinjtë në zhvillimin e aftësive dhe përgatitjen për tregun e punës.

Fuqia e Avenirs vjen nga ky kombinim unik: njohje të thella të realitetit arsimor dhe profesional, eksperiencë ndërkombëtare, dhe besimi se çdo i ri ka potencialin për të ndërtuar një të ardhme më të mirë, nëse ka udhëzimin e duhur.

Një lançim i pritur me entuziazëm

Pas disa muajsh përgatitje, platforma MVP e Avenirs u lançua në fillim të korrikut 2025, e shoqëruar me një fushatë të përqendruar në rrjetet sociale dhe komunikim të drejtpërdrejtë me përdoruesit e parë. Për themeluesin, ky ishte një moment emocionues dhe vendimtar, kalimi nga ideja te përdorimi real.

Reagimi i parë tregoi që ekzistonte një nevojë e mbledhur prej kohësh në treg: brenda javës së parë, mbi 200 të rinj u regjistruan dhe plotësuan pyetësorin e platformës, duke shfaqur interes për sugjerimet dhe përmbajtjet që ofron Avenirs. Kjo tregoi jo vetëm potencialin e madh të shërbimit, por edhe faktin që përdoruesit e parë ishin ata që prej muajsh prisnin një zgjidhje të tillë.

Roli i Growpreneur – nga ide në model funksional

Pjesëmarrja në programin Growpreneur ishte vendimtare për zhvillimin e Avenirs. Programi ndihmoi themeluesin dhe ekipin të strukturojnë më mirë idenë, të qartësojnë modelin e biznesit dhe të kuptojnë me saktësi nevojat dhe ndjeshmëritë e përdoruesve.

Një nga momentet më të vlefshme ishte gjatë sesioneve të mentorimit, kur u kuptua që vlera e vërtetë e platformës nuk është thjesht tek funksionet teknologjike, por tek ndjesia e sigurisë dhe qartësisë që i jep të rinjve dhe familjeve të tyre për një vendim të madh jetësor.

“Growpreneur na ndihmoi të komunikojmë më qartë, më thjeshtë dhe më drejtpërdrejt, duke vendosur në qendër përfitimet për përdoruesin, jo kompleksitetin e teknologjisë. Veçanërisht të vlefshme ishin edhe sesionet mbi investitorët, prezantimet dhe mënyra e ndërtimit të pitch-it. Programi na dha strukturën për të matur potencialin dhe për të vendosur prioritetet.” shprehet themeluesi.

Rritja vazhdon – një platformë që nuk ndalet

Pas lançimit të suksesshëm, Avenirs po ecën përpara me një plan të qartë zhvillimi në disa drejtime.

Në afat të shkurtër, platforma po punon në përmirësimin e ndërfaqes së përdoruesit, duke marrë parasysh feedback-un e parë nga përdoruesit pilot. Paralelisht, ekipi është i fokusuar në thellimin e algoritmit të personalizimit, për të ofruar rekomandime më të sofistikuara dhe të përshtatura.

Në planin afatmesëm, synohet zgjerimi i rrjetit të këshilltarëve të karrierës dhe shkollave, që do të jenë pjesë e modelit premium të shërbimit.

Ndërsa në planin afatgjatë, Avenirs synon të zgjerohet në tregje të tjera, duke filluar me Europën Juglindore, dhe për këtë, po kërkon mbështetje investimi për të shkallëzuar më tej produktin.

Një platformë që do të donim ta kishim pasur më herët

Më shumë se një startup, Avenirs është një përgjigje ndaj një nevoje reale,  një sistem që ndihmon të rinjtë të marrin vendime më të informuara dhe më të vetëdijshme për të ardhmen. Siç thotë vetë themeluesi: “Ky është shërbimi që do të doja të kisha pasur kur isha adoleshent.”

Në një kohë ku të rinjtë përballen me zgjedhje të ndërlikuara, presione sociale dhe një informacion shpesh të shpërndarë, Avenirs po krijon një hapësirë të qartë, të organizuar dhe të besueshme.

Për më shumë mbi platformën dhe për të përfituar nga shërbimet që ofron, vizitoni: www.avenirs.co
Le ta ndërtojmë të ardhmen së bashku.

Recommended Posts