Gjithçka nisi nga një pyetje e thjeshtë që përsëritej vazhdimisht: “A e di kur është ajo ekspozita?”, “A ka ndonjë event interesant këtë javë?”, “Ku mund të blej bileta për atë koncertin?”
Në një trajnim mbi produktet artistike në vitin 2022, themeluesja e Almanart, Gjyljana Bakalli, e gjeti veten duke i dhënë të gjithë informacionin për ngjarjet kulturore të rrethit të saj, një “guidë personale” spontane për artin dhe eventet. Pikërisht këtu lindi ideja:
Po sikur ky informacion të mos ishte më i shpërndarë, i copëzuar dhe rastësor? Po sikur të kishte një vend të vetëm ku arti dhe publiku të takoheshin me lehtësi?

Çfarë është konkretisht Almanart?
Almanart është një platformë digjitale dhe aplikacion mobil që:
- Mbledh dhe publikon të gjitha eventet kulturore në Shqipëri në një kalendar të unifikuar dhe interaktiv (koncerte, ekspozita, teatër, kinema, aktivitete komunitare, etj.);
- I ofron publikut informacion të detajuar për çdo event: datë, vendndodhje, përmbajtje, organizator, dhe mundësinë për t’i shtuar në kalendar ose për t’i ndarë me miqtë;
- Mundëson blerjen e biletave online, përmes integrimit me sistemet e pagesave;
- Dhe për organizatorët, shërben si mjet marketingu, duke u dhënë ekspozim më të madh, analiza mbi interesin e publikut dhe një kanal të dedikuar për shitjen e biletave.
“Nuk është thjesht një faqe eventesh, është një mënyrë e re për të jetuar kulturën në mënyrë të përditshme.”

Një kalendar digjital për artin – dhe një komunitet që rritet
Platforma u lançua zyrtarisht në Qershor 2025, me një event promovues në “KubFranceTirana”, dhe që atëherë është rritur çdo muaj, duke arritur mbi 5000 përdorues aktivë, të cilët e përdorin si burimin e tyre të përditshëm për gjithçka që ndodh në jetën kulturore shqiptare.
Në të njëjtën kohë, organizatorët e eventeve e përdorin platformën për të kursyer kohë në komunikim dhe për të rritur pjesëmarrjen, me një qasje shumë më të thjeshtë dhe të strukturuar.
Në një vend ku informacioni kulturor shpesh është i shpërndarë dhe jo i përditësuar, Almanart po bëhet vendi i parë ku ndalet publiku për të zbuluar, për të zgjedhur dhe për të marrë pjesë.



Me Growpreneur – nga një ide në strategji konkrete
Kur ideja e Almanart nisi të marrë formë konkrete, mungonte një strukturë e qartë biznesi. Pasioni ishte aty, por për t’u kthyer në një produkt të qëndrueshëm, duhej më shumë. Kjo ndodhi pikërisht gjatë pjesëmarrjes në Growpreneur, një program që shërbeu si pikë kthese për shumë aspekte kyçe.
“Growpreneur nuk na dha thjesht mjetet, na dha edhe vetëbesimin për të menduar më gjerë, më thellë dhe më strukturuar. Aty mësuam të krijojmë produktin me mendjen e përdoruesit dhe modelin e biznesit me mendjen e partnerit.”
Gjatë programit, ekipi i Almanart mori pjesë në trajnime për ndërtimin e strategjisë së produktit, marketingut, përgatitjen për investim dhe krijimin e materialeve për prezantime. Sidomos gjatë Demo Day, reagimi i investitorëve tregoi qartë që edhe një produkt nga sektori kulturor mund të jetë tërheqës tregtarisht, nëse është ndërtuar si duhet.



Sfidat që forcojnë
Si çdo projekt që rritet, edhe Almanart ka pasur momentet e veta të vështira. Një ndër më të ndjeshmet ishte tentativa për të hackuar platformën, një situatë që rrezikoi gjithë punën e deritanishme. Por ndërhyrja në kohë dhe reagimi i shpejtë e forcuan jo vetëm sistemin, por edhe vetëdijen për rëndësinë e sigurisë digjitale në një startup që operon online.
Kjo përballje solli rishikim të proceseve të brendshme dhe ndërtim më të fortë teknik, diçka që u bë e mundur edhe falë njohurive të fituara në Growpreneur mbi menaxhimin e riskut, dokumentimin dhe organizimin strategjik të produkteve teknologjike.
VivaTech Paris – kur një startup shqiptar prezantohet në një skenë globale
Një nga kulmet e deritanishme ka qenë pjesëmarrja në VivaTech Paris, një nga eventet më prestigjioze të teknologjisë në Europë. Falë Voucher-it për ndërkombëtarizim që fitoi nga Growpreneur, ekipi pati mundësinë të prezantonte Almanart përballë investitorëve dhe kolegëve nga e gjithë bota.
Takimet me përfaqësues nga kompani italiane dhe franceze, si dhe bashkëpunimet e reja me startup-e shqiptare që ndanin të njëjtin vizion, hapën një dritare reale për zgjerim jashtë Shqipërisë.
Dhe tani, çfarë vjen më pas?
Almanart po hyn në një kapitull të ri. Po zhvillon funksione të reja me integrim të AI, për të personalizuar përvojen e përdoruesit. Po planifikon zgjerim ne Kosove. Dhe është në bisedime për përfshirjen e investitoreve të interesuar për të cuar këtë platformë në një nivel tjetër.
Në paralel, ka nisur edhe organizimin e eventeve komunitare, duke e kthyer platformën nga një kanal informimi, në një aktor aktiv në prodhimin dhe nxitjen e kulturës urbane.
“Pa Growpreneur, shumë nga këto plane do të mbeteshin në letër. Tani kemi mjetet, qasjen dhe rrjetin për t’i bërë realitet.”
Në një kohë ku teknologjia po ndryshon gjithçka, Almanart po siguron që arti të mos mbetet pas, por të udhëheqë me stilin e vet të heshtur dhe të fuqishëm.
Shkarkoni Aplikacionin në App Store dhe në Play Store